Reja i surprizon të gjithë, ja si pritet të rreshtohet Shqipëria ndaj Kazakistanit

Reja i surprizon të gjithë, ja si pritet të rreshtohet Shqipëria ndaj Kazakistanit

Trajneri Edi Reja ka nisur sot punë konkrete për të përgatitur skuadrën për ndeshjet me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Shqipëria është e detyruar të fitojë të dy ndeshjet për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë në grup dhe tekniku ka hedhur sot në fushë idetë e tij për rreshtimin titullar në ndeshjen me kazakët që më në fund mund ta provonte pasi kishte të gjithë lojtarët në dispozicion.

Trajneri sot në fushën stërvitore ka provuar rreshtimin e tij me skemën e pandryshueshme 3-5-2, ku para Berishës ka hedhur në fushë treshen “me detyrim” Gjimshiti-Ismajli-Veseli. Në prapavijë për shkak të dëmtimeve e COVID-19 mungojnë alternativat dhe vetëm Çepele do të jetë lojtari i rolit si rezervë në stol ndaj kazakëve e bjellorusëve.

Në krahë, duket se Rejan e ka bindur Albi Doka, pasi në stërvitjen e sotme i besoi atij përsëri një fanellë mes titullarëve në të djathtë, me Hysajn që do të spostohet në të majtë, si te Napoli.

Ndërkohë, në mesfushë kthehet Gjasula para mbrojtjes me dy “veteranët” Abrashi dhe Memushaj para tij, duke lënë për momentin në stol të rinjtë si Kallaku, Laçi e Selahi që janë aktivizuar rregullisht së fundmi. Freskia e tyre do të bëjë punë në pjesën e dytë të sfidës ndërsa mund të kursejnë forcat për duelin ndaj Bjellorusisë.

Dilemat më të mëdha janë në sulm, pasi Reja qartësisht nuk ka vendosur ende se si do të luhet dhe me cilët emra nga minuta e parë. Në stërvitjen e sotme me titullarët janë rreshtuar Çikalleshi dhe Manaj, por gjithçka mbetet e hapur duke llogaritur paraqitjet e Brojës dhe sidomos formën e Uzunit i cili ka treguar se mund të bëjë diferencën me ngjyrat kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *