Arben Vitia uron Vitin e Ri: Shumëçka ka ndërruar në jetët tona GB

Ish-ministri i Shëndetësisë, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook u ka uruar qytetarëve Vitin e Ri.

Me këtë rast ai ka thënë se mijëra mjek shqiptar janë ballafaquar me beteja mbinjerëzore, derisa shume persona u ndanë nga jeta.

Vitia ka deklaruar se ditët e ardhshme duhet të reflektojmë e t’i mbushim punë e përpjekje së pari për ata që kanë më së shumti nevojë.

“Sot në këtë ditë që e mbyll 2020-tën, reflektojmë e urojmë më të dashurit tanë për një fillim të ri e të mbarë ashtu siç premtojmë që ditët e ardhshme do t’i mbushim plot punë e përpjekje së pari për ata që kanë më së shumti nevojë e për ata që sytë i kanë nga ne plot shpresë e kurajo”, shkroi ai.

Shkrimi i tij:

Tre qind e gjashtëdhjetë e pesë ditë të 2020 patën më shumë ndodhi sesa mijëra ditë të viteve të tjera.

Shumë nga të dashurit tanë u ndanë nga ne. Plot të tjerë kaluan nëpër vështirësi të jashtëzakonshme.

Mijëra mjekë shqiptarë e kudo në botë u ballafaquan me beteja mbinjerëzore. Por dija dhe vullneti, shkenca dhe etika njerëzore ngadhënjyen mbi pandeminë e këtij shekulli.

Shumëçka ka ndërruar në jetët tona. Muajt e parë të 2020 na vunë në provë aftësinë tonë për solidaritet dhe durim. Më shumë se kurrë vumë re se nuk ka diçka më sublime se krahu i mikut që të mban teksa rrëzohesh, se përpjekja kolektive për secilin e për të gjithë, se vullnetarët që ndihmojnë.

Sot në këtë ditë që e mbyll 2020-tën, reflektojmë e urojmë më të dashurit tanë për një fillim të ri e të mbarë ashtu siç premtojmë që ditët e ardhshme do t’i mbushim plot punë e përpjekje së pari për ata që kanë më së shumti nevojë e për ata që sytë i kanë nga ne plot shpresë e kurajo.

Qoftë Viti i ri 2021 ngjarja që na jep shpejtësinë e aspiratave tona dhe ngjyrat e shpresave tona.

Urime të gjithë shqiptarëve kudo që ata janë sonte!

Urime të gjitha grave, vajzave, nënave e motrave, që më së shumti u sfiduan këtë vit të vështirë!

Urime nxënësve dhe studentëve, e paçin një vit të ri në klasa e auditore pa pengesa!

Urime punonjësve të shëndetësisë, e bardha e tyre ndriçoftë përpjekjet tona!

Urime shumë të dashur miq Vitin e ri 2021, me përqafimin e munguar të këtij viti që po lëmë pas!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *