Lutfi Haziri falenderon punonjësit shëndetësorë për punën dhe përkushtimin në luftën ndaj Covid-19 GB

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në konferencën e fundvitit, ka falënderuar profesionistët shëndetësorë, të cilit tha se shpëtuan mijëra jetë.

“2020-ta ka qenë vit i jashtëzakonshëm që dha efektet pandemia. I kemi humbur 96 qytetarë, por të janë shpëtuar mijëra jetë. Në këtë ditë, dëshiroj t’i falënderoj profesionistët shëndetësorë për guximin profesional dhe përkushtimin në parandalimin e përhapjes së virusit, të cilët kanë shpëtuar mijëra jetë. Mirënjohës përjetë”, ka thënë Haziri, në konferencën për media, të fundit për vitin 2020.

Haziri tha se menaxhimi i mirë i pandemisë, e ka nxjerrë Gjilanin nga zona e kuqe në zonën e verdhë, për të shtuar se po punohet që të kalohet në zonën e gjelbër.

“Lajmi më i fundit është që e kemi përmbyllur me sukses gjysmë vjetorin e parë të vitit shkollor, në kushte pandemie, ku shkollat tona kanë qenë shembulli më i mirë i parandalimit të përhapjes së COVID-19. Po ashtu, jemi duke punuar në 12 objekte shkollore në renovim, në kuadër të programit të efiçiencës së energjisë, derisa më 7 dhjetor kemi filluar me ndërtimin e çerdhes së re në lagjen Arbëria”, tha Haziri.

Ai ka thënë se përkundër vështirësive që ka sjellë pandemia, Komuna e Gjilanit ka realizuar të gjitha objektiva dhe projektet e parapara për vitin 2020.

“Në infrastrukturë kemi punuar mbi parimin e barazisë, qytet-fshat. Lajmi i mirë është që të gjitha fshatrat i kemi bërë me rrjet të ujësjellësit, perpos Vrapçiqit i cili mbetet fshati i fundit që është në proces”, tha Haziri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *