Mesazhi i Avdullah Hotit me rastin e Vitit të Ri 2021 GB

Kryeministri në detyrë i Kosovës Avdullah Hoti, me rastin e festës ndërrimit të motmotit, ka uruar të gjithë qytetarët e vendit për një vit sa më të mbarë, duke thënë se viti që po lënë pas ishte jashtëzakonisht i rëndë për shkak të pandemisë me koronavirus.

Ai në një video-adresim përmes Facebook-ut ka thënë se lutjet e tij sonte janë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, përfshirë familjet e mjekëve dhe infermierëve, policëve dhe stafit tjetër që kanë humbur jetën në krye të detyrës, ndërsa, të prekurve iu dëshiroj shërim sa më të shpejtë.

“Angazhimi i jashtëzakonshëm i mjekëve, infermierëve, policëve, inspektorëve dhe vetë qytetarëve tanë, e ka renditur Kosovën ndër vendet që janë ballafaquar me sukses me këtë pandemi. Prandaj, dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra për profesionalizimin dhe vullnetin për t’u dalë në ndihmë pacientëve anekënd Kosovës”, ka thënë Hoti.

Hoti ka theksuar pandemia ka prekur mirëqenien e qytetarëve, por Qeveria ka bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë të gjithëve ndonëse e pranon se kjo mbështetje nuk ka qenë në shkallën e duhur, por që sipas tij, pakoja e rimëkëmbjes ekonomike ka qenë ndër më të mëdha në rajon dhe më gjerë.

“I kemi dyfishuar subvencionet për bujqësi, kemi përkrahur bizneset masivisht, kemi ndihmuar gratë në biznes, kemi dyfishuar asistencën sociale, kemi mbështetur komunitet jo shumicë në kushte të vështira, kemi mbështetur artistët tanë, sportistët dhe rininë. Me qëllim që qytetarët ta përballojnë sa më lehtë këtë krize, kemi mundësuar tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale. Përmes këtyre masave, qytetarët e kanë ndier dorën e shtetit të tyre, e kanë ndier se nuk janë vetëm në këtë kohë krize”, është shprehur Hoti.

Hoti ka thënë se vitin në të cilin po hyjmë do të vazhdojnë të ruajnë integritetin e institucioneve dhe të promovojnë vlerat demokratike, përmes një qeverisje që ofron normalitet në jetën e përditshme.

Mesazhi i kryeministrit Hoti me rastin e vitit të ri 2021

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Dëshiroj t’ju shpreh urimet më të përzemërta për vitin e ri, me lutjet për shëndet, mbarësi dhe suksese në familjet e juaja.

Viti që po e lëmë pas, ka qenë i rëndë. Kjo pandemi na ka goditur të gjithëve. Lutjet e mia sonte janë për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre, përfshirë familjet e mjekëve dhe infermierëve, policëve dhe stafit tjetër që kanë humbur jetën në krye të detyrës. Ndërsa, të prekurve ju dëshiroj shërim sa më të shpejtë.

Angazhimi i jashtëzakonshëm i mjekëve, infermierëve, policëve, inspektorëve dhe vetë qytetarëve tanë, e ka renditur Kosovën ndër vendet që janë ballafaquar me sukses me këtë pandemi. Prandaj, dua t’i falënderoj të gjithë nga zemra për profesionalizimin dhe vullnetin për t’u dalë në ndihmë pacientëve anekënd Kosovës.

Po ashtu, u jemi mirënjohës vendeve mike dhe donatorëve të shumtë për ndihmën e tyre.

Të dashur qytetarë,

Pandemia ka prekur mirëqenien dhe të ardhurat e çdo familje dhe biznesi. Qeveria ka bërë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë të gjithëve. Mbase, kjo mbështetje nuk ka qenë në shkallën që qytetarët tanë e meritojnë, por, pa asnjë dyshim, pakoja e jonë e rimëkëmbjes ekonomike ka qenë ndër më të mëdhatë në rajon dhe më gjerë.

I kemi dyfishuar subvencionet për bujqësi, kemi përkrahur bizneset masivisht, kemi ndihmuar gratë në biznes, kemi dyfishuar asistencën sociale, kemi mbështetur komunitet jo shumicë në kushte të vështira, kemi mbështetur artistët tanë, sportistët dhe rininë.

Me qëllim që qytetarët ta përballojnë sa më lehtë këtë krize, kemi mundësuar tërheqjen e 10 për qind të kursimeve pensionale.

Përmes këtyre masave, qytetarët e kanë ndier dorën e shtetit të tyre, e kanë ndier se nuk janë vetëm në këtë kohë krize.

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Megjithëse vit i vështirë, kemi arritur suksese të pakontestueshme. E kemi rikthyer besimin dhe bashkëpunimin me miqtë tanë, në rend të parë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian.

I kemi hapur dyert për Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke filluar nga vendet e rajonit, vendet anëtare të BE-së, në Bruksel, në selinë e NATO-s, e deri në Shtëpinë e Bardhë. Ky nivel i partneritetit i ka munguar Kosovës për shumë vite, ndoshta nga koha e Presidentit Rugova.

Sot, miqtë tanë na mbështesin për ta përmbyllur sa më shpejt rrugën njëdrejtimëshe të integrimit tonë në strukturat euro-atlantike.

Dialogun politik me Serbinë e kem rinisur mbi parime të qarta, për njohje reciproke, duke e eliminuar idenë e rrezikshme të shkëmbimeve territoriale.

Sot, pozicioni ynë ndërkombëtar është shumë më i favorshëm. Të gjithë e kanë të qartë tashmë se Republika e Kosovës është e pandashme, shtet demokratik i të gjithë qytetarëve të saj, që në mos sot, nesër gjithsesi do të jetë anëtare e barabartë e familjes së madhe të kombeve të lira.

Do të vazhdojmë të ruajmë integritetin e institucioneve, të garantojmë sigurinë juridike për qytetarë dhe biznese, të promovojmë vlerat tona demokratike, përmes një qeverisje qytetare, të civilizuar, që ofron normalitet në jetët tona të përditshme.

Në një të ardhme të afërt, kur gjërat do të analizohen pa zjarrminë e politikës së ditës, do të pohohet qartë se veprimet e kësaj qeverie kanë qenë vendimtare për të tashmen dhe të ardhmen euro-atlantike të Republikës së Kosovës.

Me fat Viti i Ri 2021.

Zoti Ju bekoftë të gjithëve

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *