Drita e Gjilani në pritje – gjendja e stadiumit të qytetit, pasojë e neglizhencës së institucioneve GB

Tash e sa vite stadiumi i Gjilanit është nën mëshirën e fatit.

Politikanët e të dy niveleve, pra lokal e atij qendror, sa herë që luhej derbi, zbarkonin në qytetin lindor të Kosovës, për ta përcjellur ndeshjen që bën më së shumti bujë në vend, Drita – Gjilani, përcjell GazetaBlic.

Megjithatë, përkundër interesimit edhe të shikuesve për ta parë këtë ndeshje në një ambient më të mirë, institucionet nuk po arrijnë asesi që t’i përmbushin premtimet e tyre elektorale.

Këtu situata pritet të vështirësohet në pranverë.

Kjo pasi të dyja skuadrat, janë pretendente për titullin e kampionit, respektivisht kualifikimit për në garat evropiane.

Ëndrra e tifozëve, “Intelektualëve” e “Skifterëve” padyshim se është që ekipin e tyre të zemrës ta shohin duke luajtur në garat ndërkombëtare, por në vendlindje.

Ka qenë kreu i kampiones kosovare, Valon Zymberi, që në një prononcim për GazetaBlic ka folur lidhur me këtë çështje, duke thënë se janë vazhdimisht në kontakt me organet lokale, njëherit përgjegjëse për rinovimin e stadiumit, por që deri më tani kanë marrë premtime që nuk do të kenë nevojë që takimet si vendas t’i zhvillojnë diku tjetër.

“Po. Për kohën që po flasim ne po llogarisim që ndeshjet si vendas t’i zhvillojmë në stadium të qytetit. Lidhur me atë se çka kemi biseduar me organet relevante, na është thënë që përkundër intensitetit të punimeve, nuk do të jetë nevoja që të largoheni, pasi punimet nuk pritet të zhvillohen brenda vijave kufizuese”, ka thënë Zymberi.

Ndërkaq, gazeta ka kontaktuar edhe me drejtoreshën e sportit në komunën e Gjilanit, Deniza Limani. Kjo e fundit, përmes telefonit na tha që pyetjet t’ia drejtojmë nëpërmjet “emailit” zyrtar, gjë që edhe e bëmë, por deri më tani, nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga dërgimi i pyetjeve.

Gjithsesi, e rëndësishme është që për hirë të futbollit kosovar e vetë qytetit, punimet të përfundohen sa më shpejtë që është e mundur.

Kujtojmë se momentalisht, në renditjen tabelare të elitës kosovare të futbollit, Drita qëndron në krye, derisa rivali lokal, që tashmë udhëhiqet nga Bylbyl Sokoli, pozicionohet në vend të katërt.

/GazetaBlic/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *