Familjet Saraçi e Kollari – Një jetë me profesion e pasion kushtuar shahut GB

Padyshim se shahu është një nga lojërat më të vlerësuara në botë.

Inteligjenca, kapacitetit i trurit dhe aftësia e nevojshme në të gjitha aspektet, jo vetëm në atë mendor, për të qenë konkurrent në këtë lojë, padyshim se e bëjnë të vështirë, përcjell GazetaBlic.

Përderisa në vendet e tjera të botës i kushtojnë rëndësi kësaj loje, ku shumica prej tyre edhe e gëzojnë si lëndë obligative mësimore, tek ne së fundi ka filluar të rritet interesimi për të. Kuptohet, këtu nuk ka dallime gjinore, prandaj ky fakt i jep edhe më tepër hijeshi shahut. Pra, femrat luajnë përballë meshkujve, në kampionate të caktuara.

Megjithatë, edhe në vendin tonë ka individë apo familje që tash e dekada të plota e “kultivojnë” këtë lojë.

Ne i kemi përzgjedhur dy prej tyre, ndoshta më me nam, që në të kaluarën kanë dhënë kampionë të shahut, japin në ditët e sotme, e premisat janë të qarta se tradita e kupave dhe sukseseve do të jenë të pranishme edhe në të ardhmen.

Familja Saraçi nga Mitrovica, tash e më shumë se pesë dekada është pjesë e pandashme e tabelës me 64 katrorë.

Në një prononcim për “GazetaBlic”, kampioni shtatëfishtë kosovar, Nderim Saraçi, foli për angazhimin e tyre si familje, ku i mori hapat e parë të shahut dhe angazhimi i “vogël” gjatë këtij viti për shkak të pandemisë.

“Shahu është pjesë kryesore e jetës sime. Këtu ka ndikuar padyshim familja. Tek ne, të gjithë luajnë shah. Ndërkaq fëmijët, pra gjenerata jonë të gjithë luajnë. Xhaxhallarët (Osmani e Limani) kanë luajtur në kohën e tyre, e ku kanë korrur suksese solide në vend.

Ndërkaq, të rinjtë kemi arritur goxha suksese. Këtë vit, unë nuk kam marr pjesë, por djali i xhaxhit, Korabi është shpallur kampion i Kosovës.

Në anën tjetër, vajzat Nita, Lorida, Ndriqona e Rinesa u shpallën kampione me Trepçën në kampionatin ekipor për femra, kampionat ky i organizuar për herë të parë në vendin tonë, më 2019”, tha fillimisht Nderim Saraçi.

Por, ai zbuloi një detaj shumë interesant. Thotë se lëvijet e para të shahut i kishte mësuar nga gjyshja, Fatimja. Kush e di, ndjenjën e gjyshes krenare, që nipi i saj tashmë e ka arritur rekordin vështirë të arritshëm, shtatë tituj radhazi në Kosovë.

“Po. Si fëmija luaja me gjyshen. Ajo m’i ka mësuar lëvizjet e para. Pastaj kuptohet, me kohën rritesh, piqesh e mësohesh”.

Nderimi u shpallë më i miri në vend për vitet 2013, 2014, 2015, 2016, 2017, 2018 e 2019. Një rezultat ky i jashtëzakonshëm, që mund të arrihet vetëm me punë e vullnet poashtu të jashtëzakonshëm.

Sipas Nderimit, synimi i tij për vitin e ardhshëm që ta arrijë titullin e kryemjeshtrit, ose mjeshtrit të madh siç njihet në botën e këtij sporti, (GM), ndërsa aktualisht mbi supe mbanë titullin mjeshtër ndërkombëtar.

Nga pjesa veriore e shtetit, tani kalojmë në jug-perëndim, saktësisht në Rahovec. Në kryeqytetin e bujqësisë, një familje e njohur për vendasit, gjithmonë parësor e kishte shahun.

Familja Kollari sot në gjirin e gëzoj plotë 15 shahistë në “KSH Rahoveci”. Sipas përfaqësuesit të familjes, mjeshtrit të shahut dhe kampionit të Kosovës në vitin 2003, Sabahudin Kollari, shahu tek ta erdhi në mesin e viteve 70-ta, kur atëbotë Muhamed Kollari, tashmë i ndjerë (ndërroi jetë para katër muajsh), kishte shkuar për studime në Mitrovicë. Poashtu, këtë rrugëtim e ndoqi edhe vetë Sabahudini.

Ky i fundit, në një prononcim për “GazetaBlic” tregoi rrugëtimin e familjes në përgjithësi e atë personal në përgjithësi.

“Fillimisht vëllau im Muhamedi shkoi për studime në Mitrovicë, aty ku edhe kishte filluar ta praktikojë lojën e shahut. Deshi Zoti që afro katër muaj më parë ai të largohet fizikisht nga ne. Në mes të viteve të 70-ta, unë e pasova rrugën e tij sa i përket studimeve. Përgjatë kësaj kohe, shahu ishte pjesë e padiskutueshme e imja.

Nga viti 1970 deri më 1996 isha kampion i komunës. Më 2003 fitova çmimin e më të mirit të Kosovës”, deklaroi ndër të tjera pari Kollari.

Ndërkaq, rrugëtimin e tij e vazhduan edhe vëllezërit, Ismeti, Mehdiu e Jusufi, si dhe pasardhësit e tij e të vëllezërve.

Tutje, ai shpalosi renditjen e çmimeve që i fituan si familje, duke treguar në tërësi historikun e trofeve, e për të vënë në pah reputacionin që e kanë krijuar si familje sa i përket këtij sporti.

1. Muhamed Kollari (ndërroi jetë më 03.09.2020)

2. Sabahudin Kollari – Mjeshtër Shahu dhe Kampion i Kosovës për vitin 2003. Fituesi i trofeut më prestigjioz në Kosovë “Mesut Gashi 2004”, F SH K e shpallë si “Trajneri më i mirë në Kosovë 2004”, KOK e shpallë “Trajneri më i suksesshëm në Kosovë për ndërkombëtarizim e shahut për vitin 2015”, Rejtingun Ndërkombëtar 2234. Kampion i Komunës që nga viti 1970 deri më 1996. Ka marrë edhe shumë trofe të tjerë, siç është ai në Kampionatin Europian për të rinj 2004 Plaketën e Bronztë.

3. Prof. Ismet Kollari – Kampion i të rinjve 1978, 1979
4. Jusuf Kollari (Kampion i të rinjve 1977)
5. Mehdi Kollari
6. Enver Kollari
7. Hanife Kollari
8. Nexhmije Kollari
9. Sulejman Kollari – Kampion i Kosovës për të rinj 2002, 2003, 2004, 2005, 2006, 2007, fituesi i trofeut më prestigjioz në Kosovë “Mesut Gashi 2019”. Fide instruktor, mësimdhënës i licencuar për shkollën e shahut, pjesëmarrës në kampionate botërore, europiane e ballkanike. Shumë herë është shpallur Sportist i vitit.

10. Edibe Kollari (nënkampione në vitin 2003)
11. Elife Kollari
12. Haris Kollari – Kampion i Kosovës për kadetë 2009
13. Hafife Kollari – Kampione e Kosovës për vitin 2017 , prijëse e ekipit të Kosovës në Olimpiadën e Shahut 2018 në Batumi Gjorgji, fituese e medaljes së artë, sportistja e vitit për vitin 2018 dhe nënkampione e Kosovës 2019.

14. Hatim Kollari
15. Esad Kollari

/GazetaBlic/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *