“Shqipet e Aarau, pandemia, synimi për Superligën e Zvicrës dhe kombëtarja e Kosovës”, Rrudhani zbulon si i shkoi viti 2020 GB

Donat Rrudhani është ndër lojtarët shqiptarë që ka shkëlqyer në vitin 2020.

Rrudhani i cili aktivizohet në klubin e Aarau, ka qenë mjaft produktiv dhe u shndërrua në një prej lojtarëve kyç të skuadrës, bashkë me Liridon Balaj e Shkëlzen Gashin, shkruan GazetaBlic Sport.

Megjithatë, 21 vjeçari thekson se viti 2020 ka qenë vit i lodhshëm në aspektin profesional, për shkak të virusit Covid-19 dhe protokolleve të shumta që është dashur të respektohen maksimalisht.

“Viti 2020 ka qenë në përgjithësi vit i vështirë për të gjithë, jo vetëm në futboll, për sa i përket futbollit – ka qenë diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë, protokollet që duhet respektuar, pauzimi afër 3 muaj, duke ditur që ne futbollistat maksimum kemi pushim 3 javor dhe rikthimi nuk ka qenë i lehtë, sidomos me dy takime çdo javë, fizikisht nuk ka qenë hiç lehtë”, tha fillimisht Rrudhani për ‘GazetaBlic Sport’.

Ai më pas foli edhe për paraqitjet e tij këtë vit, ku tha se është i kënaqur me punën që ka bërë dhe ndihet shumë rehat në klubin e Aarau. Ai gjithashtu shprehet se po punon shumë që të ndihmojë ekipin që të ngjiten në Superligën e Zvicrës në stinorin e ardhshëm.

“Është e vërtetë që këtë sezon jam një ndër lojtarët më të rëndësishëm në ekip, është ndjenjë e mirë, por edhe ndihem shum mirë, e ndi veten rahat dhe mirë me lojtarët e tjerë, me stafin, por edhe me nivelin e ekipës. Në këtë sezon jemi 3-4 ekipe me potencial për më lartë, tash besoj që secila ka dëshirë me hy në Super-League, por besoj që kemi shansat tona, sidomos kur t’kthehen tani nga lëndimet Shkelzeni e Thiesson, që kan qenë lojtarë kyç në fillim të sezonit, po që janë lëndu tani. Ne lojtarët nuk kemi shumë presion prej bordit, por e dimë mirë që fansat e Aarau dojnë me pa ekipin lartë, duke e dit se në Challenge League kërkush nuk ka aq shumë fansa sa kemi ne”, vazhdoi ai.

Rrudhani foli edhe për bashkëlojtarët e tij, ku në mesin e skuadrës ka edhe disa shqiptarë me të cilët padyshim se kalon shumë kohë. 21 vjeçari zbulon se kalon shumë kohë me shqiptarët, Liridon Balaj, Shkëlzen Gashi e Binjamin Hasani.

“Marrëdheniet në mes veti i kemi fenomenale, me Shkelzenin, Liridonin, tash edhe një lojtar i ri shqiptar ka fillu me ekipën e parë, Binjamin Hasani. Po, me Shkelzenin edhe me Liridonin këta lojtarët e ri, sidomos shqiptarët kemi qef pak m’i nguc, bëjmë hajgare – por dhe i japim shumë përkrahje edhe e dinë që për çdo sen na kanë mbrapa, tash unë edhe Liridoni e kem pak ni status ma të lartë në ekip, vitin e kaluar nuk e kemi pas këtë fat – me pas një Shkelzen që të ndihmon për çdo sen për futboll, por edhe jashtë futbollit. Tash sa më shumë mundohemi me përdor statusin tonë, për me i ndihmu lojtarët e ri, ma të ri se ne”, potencoi Rrudhani për ‘GazetaBlic Sport’.

Rrudhani, i cili aktivizohet tek kombëtarja U-21 foli edhe për ‘Dardanët’, ku tha se Kosova ka shumë talenta – por që duhet të punojnë shumë, ndërsa është i bindur që në Ballkan s’duhet t’i frikësohemi askujt.

“Kosova është shtet i ri hala sa i përket futbollit, por ka talenta tepër shumë edhe nuk duhet me iu frikësu asnjë shteti tjetër në Ballkan sa i përket talentav. Talentët kosovar po e kallxojnë veten çdo ditë e më shumë në Kosovë, por edhe në Europë. Besoj se do të jetë çdo vit mirë e më mirë, vetëm me punë edhe shumë besim, strukturë të mirë, organizim të mirë, këto të gjitha bashkë, i sjellin rezultatet e mira (organizimi sa i përket jashtë fushës)”, theksoi 21 vjeçari.

Në fund, Rrudhani zbuloi dy takimet e tij personale më të mira në vitin 2020.

“Ndeshjet e mia personale më e mirë në vitin 2020 ka qenë kundër Grasshoper Zurich 2-2 edhe kundër Schaffausen 2-4”, përfundoi Rrudhani.

/GazetaBlic Sport

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *