Karakteristikat hipsometrike të Republikës së Kosovës

Karakteristikat hipsometrike të Republikës së Kosovës

Kosova është vend kodrinor-malor me lartësi mesatare rreth 810m mbi nivelin e detit, që është rreth dy here më e lartë se lartësia mesatare e kontinentit të Evropës (Shqipëria 708 m). Relievi i Kosovës veçohet me procese intenzive gjeotektonike, ku ka mbizotëruar tektonika e zhvendosjes së diferencuar bllokore që vazhdojnë deri në ditët e sotme. Struktura tektonike bllokore shoqërohet me shkëputje të ndryshme gjatësore e tërthore, kështu që në hapësirë pak a shumë të vogël vërehen ndryshime të thekësuar hipsometrike prej 277 m, në luginën e Drinit të Bardhë në kufi me Shqipërinë deri në majën më të lartë Gjeravica (2656 m).
Format kryesore të relievit në Kosovë, si malet, kodrat, fushëgropat (grabenet), luginat, qafat malore, grykat etj. kanë shpërndarje të çrregullt dhe ndërthuren në mënyrë komplekse duke krijuar pamjen mozaiku. Struktura komplekse të relievit me përthyrje të theksuar vertikale reflektohen në proceset e larmishme natyrore, në ndryshimin e elementeve klimatike, kushteve hidrologjike, tokave, mbulesës bimore dhe peizazheve.
Fushëgropat dhe luginat lumore kanë forma, përmasa hapësinore, drejtim të shtrirjes dhe lartësi mbidetare të ndryshme. Disa nga fushëgropat e Kosovës – Rrafshi i Dukagjinit dhe Rrafshi i Kosovës, paraqesin format më markante tektonike të Evropës Juglindore. Si forma dytësore me përmasa më të vogla të fushëgropave dallohen ato të Llapit, Drenicës, Gjilanit, Strezoc-Kamenicës etj. Për shkak të strukturës së relievit dhe shpërndarjes së rrjetit lumor në të gjitha drejtimet në Kosovë shfaqen dukuri të pakta të luginave tipike lumore. Si lugina lumore dallohen lugina e Ibrit, Lepencit, e Kriva Reka etj., mirëpo me përjashtim të Kriva Rekës, vetëm segmete të caktuara të tyre gjenden në territorin e Kosovës. Në pjesët malore periferike të Kosovës (Bjeshkët e Nemuna, Sharr, Kopaunik) janë krijuar lugina të ngushta dhe të thella lumore- gryka lumore që në sektorë të caktuar kanë krijuar tipare të kanijonit.
Rrafshi i Dukagjinit (300 – 500 m) shtrihet në pjesën perëndimore të Kosovës, nga ana veriore, perëndimore dhe jugore kufizohet me male të larta (Bjeshkët e Nemuna, Pashtrikut, Koritnikut, Malet e Sharrit), kurse nga ana lindore me zona të ulëta e kodrinore malore (Malet e Caralevës, Berishës, Kosmaqit etj.) Në kuadër të Rrafshit të Dukagjinit si nënnjësi mund të dallohen: Fusha e Peje-Istogut, Fusha e Gjakovës, Anadrinit, Fusha e Prizrenit, Llapusha etj.
Rrafshi i Kosovës (510-600 m) shtrihet në drejtim veriperëndim-juglindje në gjatësi rreth 80 km. Paraqet një tërësi unike morfologjike, por nga aspekti hidrologjik shkarkon ujërat përmes Sitnicës në Detin e Zi, kurse përmes Lepencit në Detin Egje. Kontakti i fushëgropës së Kosovës me rrethinën kodrinore-malore është tektonike, por përmes proceseve fluviale dhe denudacionit është modeluar dhe ka forma më të buta se në rrethinat e Rrafshit të Dukagjinit. Si pjesë morfologjike dhe hidrologjike të fushëgropës së Kosovës dallohen Llapi (600 – 650 m), dhe Drenica (550 – 650 m). Në skajin juglindor të Kosovës shtrihen fushgropat e Gjilanit dhe Strezoc-Kamenicës (400 – 550 m), të cilat përmes Moravës së Binçit shkarkon ujërat në Moravën Jugore (Detin e Zi).
Fushëgropat si tërësi morfologjike kanë gjenezë dhe evulucion morfologjik pak a shumë të përafërt. Të gjitha janë krijuar me zhvendosje tektonike ka fundi i miocenit të sipërm dhe fillimit të pliocenit të poshtëm. Pas fazës kontinentale kanë kaluar nëpër fazën liqenorenë të cilat janë depozituar krijimet liqenore me proceset e erozionit nga rrethinat e tyre. Formacionet liqenore të pliocenit të poshtëm (pont) kryesisht shtrihen në formë transgresionit mbi krijimet paleogjene, kretakut të sipërm dhe atyre më të vjetra. Në kuadër të krijimeve të pliocenit të poshtëm në fushëgropat e Kosovës, dallohen tri horizonte, fundi (tabani), shtresat e linjitit dhe mbulesa. Krijimet aktive të linjitit gjenden në basenin e Kosovës, Drenicës dhe Dukagjinit. Pjesët më të ulëta të fushëgropave kryesisht janë modeluar nga erozioni fluvial (lumor) dhe dallohen me forma të buta, rrafshë aluviale që kohë pas kohe përmbyten dhe fragmente të tarracave lumore.
Zona kodrinore-malore përfshinë terrenet kodrinore dhe malet e ulëta që zënë sipërfaqe të rëndësishme në relievin e Kosovës dhe në formë horsti ngriten nga rrethina me lartësi mbidetare rreth 1000 m. Pjesa dërrmuese e tyre shtrihen në pjesën qendrore të Kosovës: Milanoc, Zatriqi, Gremnik, Carralevë, Berishë, Qiqavicë, Golesh etj. Në lindje të fushëgropës së Kosovës shtrihet zona e Gollakut, pastaj Koznicës, Plitkoviqit etj. që po luajnë rol me rëndësi në proceset ngjitëse dhe zbritëse të ajrit dhe rritjen e vogël të reshjeve në krahasim me rrethinat e tyre.
Zona malore kryesisht strihet në pjesët periferike të vendit dhe në formë të një kornize përkufizojnë nga të gjitha anët Kosovën (Bjeshkët e Nemuna, Pashtriku, Koritniku, Sharri, Karadaku, Kopauniku). Relievi malor në Kosovë nuk ka vazhdimësi gjeografik territoriale e as gjeotektonike. Ato përbëhen nga disa blloqe malore që kryesisht shtrihen në pjesët periferike të Kosovës dhe përshkohen nga luginat lumore dhe qafa malore që lehtësojnë rrymimet ajrore. Zonat kodrinore-malore të Kosovës luajnë rolin e ujëndarësit detar ndërmjet Detit Adriatik, Detit të Zi dhe Egje që përkufizojnë Gadishullin Ballkanik. Linjat ujëndarëse nuk kalon përherë nëpër lartësi malore, por edhe nëpër terrene kodrinore dhe fushore që lehtëson ndërlidhjen e transportit në të gjitha drejtimet. Relievi i Kosovës favorizon lidhjet e transportit përmes linjave longitudinale (Baseni i Panonisë – Gjiri Selanikut) dhe transferzale (Shën Gjinit-Nish-Sofje-Stamboll). Në pjesën periferiferike të Kosovës shtrihen Bjeshkët e Nemuna (Alpet Shqiptare), Kopaoniku, Sharri dhe Karadaku. Në mes këtyre blloqeve malore janë të vendosura fushëgropat e ndryshme që u përmendën më lartë.
Kopaoniku (2017 m) paraqet masën më të madhe dhe më të lartë malore në veri të Kosovës. Lartësia mbidetare e Kopaonikut gradualisht zvogëlohet nga veriu në drejtim të jugut. Në pjesën perëndimore të Kopaonikut shtrihet lugina e lumit Ibër e cila lehtëson rrymimin e ajrit të ftohtë nga veriu. Kurse në lindje të Kopaonikut shtrihet fushëgropa e Llapit, e cila përmes qafave malore të Përpollacit dhe Merdarit paracaktojnë lëvizjet e ajrit të ftohtë dhe të thatë nga kuadratet veriore. Në këtë mënyrë Kopaoniku, për shkak të drejtimit të shtrirjes meridionale nuk paraqet ndonjë pengesë me rëndësi të rrymave të ftohta ajrore nga veriu. Ndikimet e Kopaunikut në ndryshimin e elementeve klimatike kryesisht reflektohen përmes lartësisë mbidetare.
Pllana, R. Klima e Kosovës, ASHAK, Prishtinë, 2015

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *