Alfred Lela: Urime Kryeministër për të Tretin: të lutem, mos na e merr edhe opozitën!

Alfred Lela: Urime Kryeministër për të Tretin: të lutem, mos na e merr edhe opozitën!

‘Përqafimin me Shqipërinë’, Edi Rama, që ka thyer një tabu, duke u bërë i pari kryeministër me tre mandate, e ka lënë për sot në ora 18. Kur thotë ‘Shqipëria’, fatkeqësisht, Rama ka ndërmend edhe opozitën. Sot, në formën e një dore të shtrirë, gjë që e ka bërë edhe ma parë, ai do të përmendë edhe, deri dje rivalin e tij, L. Bashën.

Pasi e ka tallur në fushatë, duke i lënë cepin e një dordoleci që luan fijet që zgjat Berisha dhe Meta, Rama do t’i kthehet sot togfjalëshit ‘Luli, djalë i mirë’.

Formalisht, sot kryeministri i vendit dhe kandidati për kryeministër deri më 25 prill, do të hyjnë në një detantë e cila do të zgjasë luksin e tyre, por do të zhbëjë një prej instrumenteve të demokracisë, raportin e drejtë dhe të shëndetshëm qeveri-opozitë. Duke e kthyer në një raport të zhdrejtë miklimesh, lëshimesh dhe zgjatimesh të marrëveshjeve okulte.

Kjo mund të jetë mirë për Ramën, sepse siguron një paqe politike që i duhet për të përmbyllur krisjet në imazh ndërkombëtar, një pjesë të të cilave ia ka shkaktuar përplasja me opozitën, por edhe procesin e ngecur të integrimit.

Narrativa që do ofrojnë mediat proqeveritare është e thjeshtë. Më mirë Basha se Meta në krye të opozitës. Gogoli Meta-Kryemadhi do të jetë i mjaftueshëm për të mpiksur atë gjak nervoz në dejet e atyre që duan, jo vetëm opozitarizimin, por edhe një sens urban të tij. Këtë të fundit Basha, sigurisht, e ofron, por siç dëshmojnë provat, asgjë jashtë tij.

Po të vini re Temën, për shembull, gazetën më radikale kundër Bashës, kryetarit të PD i ofrohet buqeta e ‘fitores së partisë’. Ndërkohë që theksohet se Rama ‘fitoi zgjedhjet’. Njerëzit e Ramës janë duke emëtuar linjën e një narrative në mediat dhe analistët pranë kryeministrit. Mos e sulmoni Lulin!

E keqja e kësaj është se do ta bëjë të pamundur refleksionin dhe analizën e humbjes së radhës në PD. Mbyllja e aksesit mediatik, për gjithkënd me një zë që shkon kundër lidershipit humbës në PD, do të thotë pluskimi i PD në moçalin e palëvizur të monotonisë, ku të gjithë do të lidhin varkat e tyre pirate pas anijes së kryetarit. Apo asaj që paraqitet në horizontin mediatik si e tillë. Ndërkohë që është vetëm një skarlatinë në kërkim të një bregu për të (mos) dhënë shpirt.

Përveç narrativës, Rama pritet t’i japë Bashës edhe municion. Një lëshim i tillë do të ishte afrimi i datës së zgjedhjeve lokale, duke futur në pjesën e dytë të sistemit Partinë Demokratike, lënë jashtë garës vendore po prej Bashës. Me anë të kësaj kryetari i PD do të nanurisë të pakënaqurit dhe do t’u ofrojë syve të uritur një shpresë për akomodim të afërt.

Të gjithë ata që e akuzojnë për autokraci Edi Ramën, sigurisht, e teprojnë. Ai është më shumë estetokrat se autokrat. Por, pikërisht tani mund të marrë udhë ‘diktatura e Ramës’. Me mandatin e tretë të siguruar, 59 bashki në xhep, një sistem drejtësie kryesisht miqësor, ai është përfundimisht në gjendje dhe në mendje për të përcaktuar edhe opozitën.

Kur ta shihni kamerdaren e Ramës drejtuar kah Basha mund t’ju pëlqejë ngjyra e saj, në varësi të interesit personal apo përmasës së injorancës. Mund të mbyllni një sy sepse, për disa prej jush, dyshja Meta-Kryemadhi është një durim në kufijtë e padurimit.

As vetë nuk ua kam shijen, por kjo do të thotë pak në këtë rast. Shqipërisë i duhet opozita e vërtetë, jo një që e përcakton kryeministri. Aq më pak, nëse nuk e doni Metën në krye të opozitës, dhe e dini se Basha nuk e bën dot, gjeni një tjetër.

Çka e vrau shansin e opozitës më 25 prill ishte pikërisht mungesa e vërtetësisë. Nëse i lejoni Lulzim Bashës dhe Edi Ramës një truk të tillë, ky është fundi i proceseve demokratike. Dhe demokracia është proces mbi të gjitha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *